Trajnimi dhe informimi

Trajnimi i sigurisë dhe shëndetit do të thotë të ndihmoni të punësuarit të mësojnë si të bëjnë diçka, t’i tregoni atyre çfarë duhet të bëjnë e çfarë jo, ose thjesht t’ju ofroni atyre informacionet e nevojshme. Trajnimi nuk ka të bëjë vetëm me kurse formale ‘në klasë’. Trajnimi për SShP duhet të përfshijë edhe pjesën praktike të zhvillimit të aftësive për ta menaxhuar situatën e SShP-së në punë.

Ofrimi i informacioneve dhe trajnimit ndihmon punëdhënësit që të: 

  • sigurojnë se të punësuarit dinë si të punojnë në mënyrë të sigurt dhe pa risqe për shëndetin;
  • zhvillojnë një qëndrim dhe kulturë pozitive për shëndetin dhe sigurinë, ku puna e sigurt dhe e shëndetshme bëhet natyrë e dytë për gjithsecilin;
  • përmbushin detyrimin ligjor të punëdhënësit për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve të tij.

Detyrat ligjore lidhur me trajnimin dhe informimin [neni 20 i Ligjit të SShP-së]:

Punëdhënësi duhet të sigurojë që secili i punësuar të trajnohet për sigurinë dhe shëndetin në punë: 

  • para ose pas angazhimit, por në mënyrë strikte duhet të jetë i trajnuar para se të fillojë punën;
  • në rast të transferimit apo ndërrimit të vendit të punës;
  • në rast të paraqitjes së pajisjeve të reja apo ndërrimit të pajisjeve të punës;
  • në rast të përdorimit të teknologjisë së re;
  • kohë pas kohe nëse është e domosdoshme.

Trajnime specifike do të ofrohen për:

–  të punësuarin e caktuar për të kryer aktivitete të sigurisë dhe shëndetit në punë;
–  përfaqësuesit e të punësuarve;
–  të punësuarit që punojnë në kushte të veçanta me risk të lartë;
–  menaxherët, mbikëqyrësit dhe udhëheqësit e ekipit;
–  punëtorët e specializuar, kërkohet licencim për operim;
–  individët përgjegjës për evakuim, shpëtim, fikjen e zjarrit;
–  ofruesit e ndihmës së parë.

Trajnimi i SShP-së do të organizohet gjatë orarit të punës.

Niveli i trajnimit të SShP-së dukshëm ndikon në sjelljen e të punësuarve dhe menaxherëve dhe në qëndrimin e tyre. Shkeljet e rregullores së sigurisë dhe shëndetit, paraqitja e situatave të rrezikshme në vendin e punës dhe lëndimet në punë shpesh janë rezultat i mungesës së njohurive për rregulloret dhe parimet e SShP-së, mungesës së shkathtësive praktike dhe qëndrimit të gabuar ndaj SShP-së. Prandaj, trajnimi i SShP-së nuk paraqet vetëm ofrimin e informacionit, por edhe edukimin për sjelljen e sigurt në përgjithësi, duke vënë theksin te zbatimi i vërtetë i parimeve të mësuara në sjelljen e përditshme. Pjesë përbërëse e procesit të edukimit të të punësuarve në SShP do të jetë edhe kontrolli i vazhdueshëm dhe kërkesa për respektimin e rregullave. 

Procesi modern i të mësuarit zhvillohet në 4 faza bazë: 

  • Ndërgjegjësimi 
    Ofrimi i informacioneve bazë për rregulloret e SShP-së, parimet, punën e sigurt dhe procedurat – kryesisht në formë të kurseve “në klasë” ose në vendin e punës;
  • Pranimi 
    Stili i trajnimit duhet të bindë të trajnuarit, ashtu që ata të pranojnë të gjitha rregullat dhe parimet e paraqitura;
  • Aplikimi
    Ndonëse njerëzit janë të trajnuar siç duhet, shpesh ata nuk e aplikojnë gjithçka në praktikë. Prandaj faza tjetër është kontrolli dhe shtytja e të punësuarve që të respektojnë rregullat në mënyrë strikte. Është roli i menaxherëve të vendit të punës; 
  • Asimilimi
    Kur respektimi i të gjitha rregullave të sigurisë iu bëhet shprehi të punësuarve praktikë e tyre e përditshme – atëherë ky mund të konsiderohet si një proces i suksesshëm i edukimit.

Informimi i të punësuarve [neni 18 i Ligjit të SShP-së]


Punëdhënësi është i obliguar t’ju ofrojë informacione të punësuarve dhe përfaqësuesve të tyre në lidhje me:

  • çdo risk që mund të paraqitet në vendet e punës, masat mbrojtëse dhe parandaluese si dhe aktivitetet që i ndërmerr nga ana e tij për eliminimin e këtyre risqeve;
  • ndihmën e parë, masat në rast zjarri, evakuimin dhe përgjegjësitë e caktuara të secilit të punësuar për ndërmarrjen e masave të tilla;
  • rezultatet e vlerësimit të riskut dhe masat e marra për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit në punë;
  • udhëzimet për përdorimin e sigurt të makinave dhe proceseve të punës;
  • punën e sigurt, gjatë zëvendësimit të teknologjisë ekzistuese me procedura, pajisje të punës dhe teknologji të reja;

Secili që punon për punëdhënësin, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit, duhet të dijë si të punojë në mënyrë të sigurt dhe pa risqe për shëndetin. Andaj informimi adekuat, udhëzimet dhe trajnimi për SShP do të jenë të detyrueshme, të ofruara edhe për të punësuarit e kompanisë kontraktuese, personat e vetëpunësuar, personat e kontraktuar për shërbime të jashtme, praktikantët dhe nëse është e nevojshme edhe për vizitorët.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors