Çdo i punësuar ka të drejtë të kompensohet për punën e bërë. Paga paguhet në afatet e përcaktuara me Kontratë Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit ose Kontratën e Punës, më së paku një (1) herë në muaj.
Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës dhe/ose për punën gjatë ditëve të festave dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë (llogaritet si përqindje e pagës bazë):
20 % në orë për kujdestari;
30 % në orë për punë gjatë natës;
30 % në orë për punë jashtë orarit;
50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe
50 % përqind në orë për punë gjatë fundjavës.
*I punësuari mund të kërkojë që në vend të pagës shtesë, kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi; kjo formë duhet të parashihet në Kontratën e Punës ose në Aktin e brendshëm të kompanisë.
Paga minimale përcaktohet në fund të çdo viti kalendarik nga Qeveria e Kosovës sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social.
Tutje, i punësuari ka të drejtë edhe për kompensim në raste të caktuara:
Kompensimi i pushimit mjekësor:
Në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt, deri në njëzet (20) ditë pune brenda një (1) viti me kompensim prej 100 % të pagës.
Në rast të lëndimit ose sëmundjes profesionale në punë e cila ndërlidhet me kryerjen e punëve dhe të shërbimeve për punëdhënësin me kompensim prej 70 % të pagës së tij; prej dhjetë (10) deri në nëntëdhjetë (90) ditë pune
Kompensimi i lëndimit në punë:
Në rast të lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale që i merr i punësuari gjatë orarit të punës, punëdhënësi ka për detyrë t’ju ofrojë sigurimin për kompensimin e shpenzimeve.
Mungesa në punë për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit:
Për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, me vendim të organit të autorizuar shtetëror ose organit të autorizuar të punëdhënësit, i punësuari ka të drejtën e mungesës me arsye nga puna; të njejtit i takon e drejta e kompensimit të pagës të cilën do ta kishte realizuar sikur të kishte punuar, por jo më gjatë se dyzetepesë (45) ditë në vitin kalendarik.
Kompensimi i shpenzimeve për udhëtim zyrtar:
Në rastet e udhëtimit zyrtar jashtë vendit, i punësuari që udhëton ka të drejtë në kompensimin e shpenzimeve sipas kushteve, mënyrës dhe lartësisë së përcaktuar me Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit.
Kompensimi i dëmit:
Nëse i punësuari në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose me pakujdesi të plotë i ka shkaktuar dëm punëdhënësit, ai është i obliguar ta kompensojë dëmin;
Nëse disa të punësuar, me dashje ose me paramendim i kanë shkaktuar dëme punëdhënësit, për dëmin e shkaktuar do të përgjigjen në mënyrë të barabartë;
I punësuari i cili në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose nga pakujdesia e plotë i ka shkaktuar dëm personit të tretë, të cilin e ka kompensuar punëdhënësi, është i obliguar që punëdhënësit t’i kompensojë shumën e dëmit të paguar.