Në takim u diskutua për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Save the Children në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, rezultatet e arritura dhe forcimin e mëtejshëm të politikave, shërbimeve dhe mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Përfaqësuesit e Save the Children prezantuan punën dhe kontributin e organizatës në Kosovë, si dhe tri fushat tematike të strategjisë së tyre, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet publike për adresimin e nevojave dhe sfidave me të cilat përballen fëmijët dhe familjet.
Ministri Hoti vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Save the Children, duke theksuar rëndësinë e koordinimit institucional dhe të partneritetit me organizatat ndërkombëtare e të shoqërisë civile.
Në takim pati dakordim që bashkëpunimi të fuqizohet përmes përcaktimit të prioriteteve konkrete dhe planifikimit të përbashkët, ndërsa u diskutua edhe mundësia e formalizimit të tij përmes një marrëveshjeje të përbashkët.
MPFVLÇ mbetet e përkushtuar që, së bashku me partnerët, të avancojë politikat dhe mekanizmat për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe dinjitoz për çdo fëmijë në Kosovë.