Përshtatja e politikave dhe prioriteteve me nevojat e tregut të punës në sektorin privat, zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe ndikimi i Inteligjencës Artificiale në tregun e punës në Kosovë ishin në fokus të takimit të Ministrit për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, i shoqëruar nga znj. Venera Rexha, Drejtoreshë e Departamentit të Shërbimeve për Eksportues, B2B dhe Panaire, dhe z. Besim Mustafa, Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Ministri Hoti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës për përafrimin e politikave të punësimit dhe aftësimit profesional me nevojat e sektorit privat, ndërsa të dyja palët u zotuan për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët dhe potencial për rezultate konkrete.
Kryetari i OEK-ut, z. Lulzim Rafuna, prezantoi punën, aktivitetet dhe synimet e Odës, duke shprehur gatishmëri të plotë për mbështetjen e nismave në fushat me interes të përbashkët, ndërsa vlerësoi angazhimin dhe punën e Ministrisë.