Sot mora pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për programin “Job Placement Counselling”, me ç’rast u certifikuan 33 zyrtarë të punësimit, të cilët do të kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Zyrtarët e punësimit janë fytyra e parë e institucioneve tona për mijëra qytetarë. Për këtë arsye, ata duhet të jenë të pajisur jo vetëm me njohuri profesionale, por edhe me aftësi të mira komunikimi, empati dhe kuptim të thellë të nevojave të tregut të punës.
Investimi në njerëzit që çdo ditë i ndihmojnë qytetarët të gjejnë një vend pune dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjet e tyre është investim në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Gjatë ceremonisë, pata nderin të takoj profesorët gjermanë, Prof. Dr. Bernd-Joachim Ertelt dhe Prof. Michael Scharpf, të cilët i falënderoj për kontributin dhe mbështetjen e tyre të çmuar.
Falënderoj në veçanti partnerët tanë gjermanë 🇩🇪, GIZ-in, INfaBW-në dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Agjencisë Federale të Punësimit të Gjermanisë, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Angazhimi i tyre po ndihmon në ngritjen e standardeve profesionale të shërbimeve të punësimit në Kosovë.
Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Universitetin e Prishtinës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë.
Zyrtarëve të punësimit u uroj shumë suksese në rrugëtimin e tyre profesional dhe i falënderoj për angazhimin që japin çdo ditë në shërbim të qytetarëve tanë.