Ligji Nr.03/L-212 i Punës i miratuar në vitin 2010, në raport me të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, është ligj bazik dhe sistemor i cili rregullon raportet juridike mes të punësuarit dhe punëdhënësit. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të punësuarit dhe punëdhënësit e sektorit privat dhe publik në Republikën e Kosovës. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për të punësuarit dhe punëdhënësit, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për çështje të caktuara nga marrëdhënia e punës. Të drejtat nga marrëdhënia e punës, sipas legjislacionit aktual në fuqi, për disa kategori të të punësuarish të sektorit publik, rregullohen me ligje të veçanta.
Ligji mbulon aspektet e përgjithshme të marrëdhënies së punës ndërsa burimet juridike janë kryesisht konventat e ILO-së dhe Acquis- së BE-së. Çështjet kryesore që mbulohen nga marrëdhënia e punës janë: fushëveprimi, themelimi i marrëdhënies së punës, ndalimi i diskriminimit në punë dhe punësim, sistemi i të punësuarve, orari i punës, pushimet, mbrojtja dhe siguria në punë, duke përfshirë mbrojtjen e të rinjve në punë, femrave dhe personave me aftësi të kufizuara, pushimi i lehonisë, pagat, ndërprerja e marrëdhënies së punës, procedurat për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, dialogimi social
dhe dispozitat tjera përkatëse.
Për më shumë informata, rreth aspekteve tjera të fushës punës, ju lutemi ndjekni linkun përkatëse.