Përurohet objekti i ri i Zyrës së Punësimit në Gjakovë, investim në modernizimin e shërbimeve të punësimit

mpf

Bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, dhe Zëvendësministri, z. Agon Dobruna, përuruan sot objektin e ri të Zyrës së Punësimit në Gjakovë, investim i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh.

Objekti i ri, me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë, ofron hapësira moderne për këshillim profesional, ofrimin e shërbimeve dhe organizimin e trajnimeve. Ai mundëson qasje edhe për personat me aftësi të kufizuara, duke kontribuar në ofrimin e shërbimeve më gjithëpërfshirëse për punëkërkuesit dhe punëdhënësit.

Në funksionalizimin e objektit ka kontribuar edhe organizata zvicerane Helvetas, e cila ka financuar blerjen e inventarit dhe pajisjeve teknologjike të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Synimi i MPFVLÇ-së është që Zyrat e Punësimit të shndërrohen në pika kryesore të kontaktit për qytetarët dhe bizneset, duke ofruar këshillim profesional, ndërmjetësim në punësim dhe orientim drejt aftësimit profesional.

Në kuadër të ofrimit të shërbimeve, Qendra e Aftësimit Profesional në Gjakovë ofron trajnime falas në 11 programe profesionale, duke u mundësuar kandidatëve të zhvillojnë aftësi praktike dhe profesionale në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

Përmes investimeve të tilla, Ministria synon të përmirësojë qasjen në shërbimet e punësimit, të fuqizojë punëkërkuesit, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe grupet e cenueshme dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillim profesional dhe ekonomik.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors