Për herë të parë në Republikën e Kosovës, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, shënon 15 Majin – Ditës Ndërkombëtare të Familjes, me aktivitete të ndryshme dhe me “Tryezën për Shënim të Ditës Ndërkombëtare të Familjes”, të nivelit më të lartë institucional.
Në “Tryezën për Shënim të Ditës Ndërkombëtare të Familjes”, ishte i pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Znj. Donika Gërvalla-Schëarz, Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, Znj. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, si dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare, vendore dhe ndërkombëtare.
Fjalimi i plotë i Ministrit z. Andin Hoti:
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, e nderuar Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë, Znj. Donika Gërvalla-Schëarz, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, Znj. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të nderuara organizata jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare, të nderuar pertnerë, të nderuar media, të nderuar të pranishëm, të dashur qytetarë:
Faleminderit që sot jeni bashkë me ne për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes.Faleminderit që sot jeni bashkë me ne për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Familjes.
Sot jemi bashkuar për të vlerësuar dhe afirmuar rolin e pazëvendësueshëm që familja ka në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të drejtë dhe solidare.
Kjo ditë, e shpallur nga Kombet e Bashkuara, ka një rëndësi të veçantë për Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, për institucionet e Republikës së Kosovës, organizatat e shoqërisë civile dhe, mbi të gjitha, për vetë familjet tona.
Shënimi i kësaj dite dëshmon përkushtimin institucional që familja të mbetet në qendër të politikave tona sociale dhe zhvillimore. Për këtë arsye, kemi zgjedhur sloganin:
“Shteti ndërtohet në familje.”
Sepse pikërisht në familje ndërtohen vlerat njerëzore, solidariteti, përgjegjësia qytetare, edukimi i brezave dhe dinjiteti social e ekonomik i shoqërisë sonë.
Familja në Kosovë ka qenë gjithmonë shtylla kryesore e qëndrueshmërisë sonë shoqërore dhe kombëtare. Në periudha sfiduese, familjet tona kanë ruajtur unitetin, kujdesin për njëri-tjetrin dhe vlerat e solidaritetit.
Sot, përballë sfidave ekonomike, sociale dhe demografike, ruajtja dhe fuqizimi i familjes mbetet prioritet kombëtar.
Prandaj, institucionet tona janë të përkushtuara që:
• të mbrojnë dinjitetin e çdo familjeje,
• të fuqizojnë mirëqenien sociale,
• të krijojnë mundësi të barabarta,
• dhe të sigurojnë mbështetje për familjet në nevojë, fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe të rinjtë.
Ne besojmë fuqishëm se një familje e mbështetur ekonomikisht dhe me shërbimet e duhura sociale e familjare është bazë për një Kosovë më stabile, më të zhvilluar dhe më të drejtë.
Në mandatin e kaluar dhe në këtë mandat, për herë të parë, familja është vendosur në qendër të politikëbërjes shtetërore përmes masave konkrete dhe të matshme.
Janë vendosur dhe po zbatohen shtesat për fëmijë dhe lehona, si politika që kanë sjellë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet dhe kanë ndikuar në përmirësimin e perspektivës demografike të vendit.
Njëkohësisht, kemi nisur reformën e thellë të asistencës sociale, me synim krijimin e një sistemi më të drejtë, më efikas dhe më dinjitoz për familjet në nevojë, duke e lidhur mbështetjen sociale me aktivizimin në tregun e punës.
Gjatë kësaj periudhe, Ministria ka avancuar politikat dhe shërbimet sociale e familjare me fokus në mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e familjes.
Kosova ka përpiluar Zotimet Kombëtare 2026–2028 për Reformën e Kujdesit ndaj Fëmijëve, të pranuara plotësisht në nivel ndërkombëtar, duke u renditur e para në Ballkan dhe e shtata në botë.
Për ngritjen e cilësisë së shërbimeve sociale dhe familjare, gjatë periudhës shkurt–prill 2026 janë trajnuar mbi 400 profesionistë, ndërsa është finalizuar edhe Pakoja Minimale e Shërbimeve Sociale për familjet dhe fëmijët në nevojë.
Ministria ka ndarë mbi 2.5 milionë euro për financimin e shërbimeve sociale dhe familjare dhe po finalizon Planin Kombëtar për Strehim Familjar për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror.
Njëkohësisht, po avancohen reforma të rëndësishme institucionale dhe ligjore, përfshirë Departamentin për Politika Familjare, Fondin e Sigurimeve Shoqërore, modelin “one-stop-shop” dhe finalizimin e 15 akteve nënligjore nga Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Aktualisht, mbi 15,000 familje përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale, mbi 3,500 familje nga projekti i mbështetur nga Ëorld Bank dhe mbi 4,000 fëmijë nga skema për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Po ashtu, Ministria po punon në reformën e Skemës së Ndihmës Sociale dhe Ligjin gjithëpërfshirës për Personat me Aftësi të Kufizuara, me synim ndërtimin e një sistemi social më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Të nderuar të pranishëm:
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare mbetet e përkushtuar që, me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit ekonomik dhe mirëqenies sociale të të gjitha familjeve në Republikën e Kosovës, të vazhdojë të punojë që çdo familje të ndihet e mbështetur, çdo fëmijë të ndihet i mbrojtur dhe çdo qytetar të ketë mundësi për një jetë me dinjitet dhe siguri sociale.
Sepse familja nuk është vetëm një strukturë sociale, familja është zemra e shoqërisë sonë dhe themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e Kosovës.
Ju faleminderit!