Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, u prit në takim nga përfaqësuesit e KOMF – Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, ku u diskutuan prioritetet kryesore në fushën e mbrojtjes sociale dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Po ashtu, u diskutua rëndësia e zhvillimit të shërbimeve të integruara ndërmjet institucioneve dhe organizatave që ofrojnë mbështetje sociale dhe mbrojtëse për fëmijët dhe familjet në nevojë.
Në fokus ishte edhe nevoja për finalizimin e legjislacionit për personat me aftësi të kufizuara, duke siguruar harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe zbatim efektiv në praktikë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kategorive të fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje më të madhe, përfshirë fëmijët e spektrit të autizmit, fëmijët pa përkujdesje prindore, nevojën për zgjerimin e shërbimeve të logopedisë, mbështetjen për fëmijët në situatë rruge dhe kategoritë tjera të rrezikuara sociale.
Gjithashtu, u diskutua rëndësia e monitorimit më të mirë të shërbimeve sociale, me qëllim ngritjen e cilësisë, rritjen e qasjes dhe shtrirjen më të gjerë të shërbimeve për qytetarët që kanë nevojë për përkrahje institucionale.

