Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, ishte pjesë e akademisë përkujtimore kushtuar heroinave të Kosovës dhe bashkëshortëve të tyre, të cilët ranë heroikisht në altarin e lirisë, e orgnaizuar nga Komuna e Shtimes në krye me Kryetarin z. Qemajl Aliu, në bashkëpunim me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve në Shtime.
Fjalimi i plotë i Ministrit:
“Akademi përkujtimore kushtuar heroinave të Kosovës dhe bashkëshortëve të tyre, të cilët ranë heroikisht në altarin e lirisë.”
Kur e lexova këtë fjali, nisa të mendoj se cilët emra të luftës së fundit dhe përgjatë historisë do t’i përmend si burra e gra që luftuan e u flijuan për më të shtrenjtën liri.
Nisa të udhëtoj në histori e të vij drejt luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aq shumë emra e shembuj më ranë ndër mend, saqë mendova se si është e mundur që një popull kaq i vogël e gjen veten në secilën vlerë. Tek një popull kaq i vogël gjen emra e vepra që vështirë i gjen edhe tek popujt më të mëdhenj përgjatë gjithë botës.
Nëse e përmend mbretin Agron, pashmangshëm të bie ndër mend edhe mbretëresha Teuta.
Shumë familje në Kosovë sot në shtëpi i kanë djemtë e vajzat me të dy emrat.
Kur përmendim Azem Galicën, në sfond në mendjen tonë na shfaqet Qerime Radisheva, gruaja e patriotit drenicas, Shote Galica.
Na shfaqet ajo fotografia ikonike ku Azemi, me mustaqe e plis në kokë, me koburen në brez, rri krenar krahas gruas Shotës, e cila ia mban dorën në shpatullën e majtë, ndërsa në kokë mban plisin, e në brez me krenari e mban armën.
Kush e di sa qindra herë të dy e kanë shikuar në sy njëri-tjetrin, burrë e grua, duke menduar se ato janë momentet e fundit të jetës së tyre, për shkak të luftës së pashembullt ndaj secilit pushtues, ndaj serbëve më së shumti, kuptohet.
Udhëtojmë në histori, gati një shekull më vonë, populli shqiptar do të nxjerrë prapë Azem e Shote Galicën.
Si kurorë mbi të gjitha historitë dhe sakrificat qëndron historia e Zahide dhe Shaban Jasharit.
Zahide Geci nga fshati Llaushë u martua me Shaban Jasharin nga Prekazi, dy fshatra të njohura për rezistencë ndaj pushtuesve.
Të dy krijuan familjen e madhe Jashari.
UÇK, ideali për luftë, shembull i sakrificës, frymëzimi për luftë e rezistencë, gjithçka, çdo fjalë që mund të thuhet për virtytet që e sollën lirinë, na i solli familja Jashari.
Shaban Murat Jashari, bashkë me Zahide Jasharin, ranë dëshmorë më 5, 6 dhe 7 mars, në mesin e gjithsej 59 dëshmorëve sa ranë atë ditë.
Bashkë me ta edhe Zarife Jashari, bashkëshortja e Rifatit, i cili sot është gjallë, por që kishte qenë pjesë e rezistencës me armë në rrethimet e mëparshme nga forcat serbe.
Në Prekaz, në rezistencën epike të 98-s, ranë Hamëz Shaban Jashari bashkë me bashkëshorten, Feride Jasharin, si dhe Kryekomandanti Adem Jashari me bashkëshorten Adile.
Në shtator të 98-s, ranë heroikisht komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci, bashkë me bashkëshorten, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtaret e para të UÇK-së.
Të dy ishin të pandarë edhe në jetën personale, edhe në aktivitetet për organizim dhe luftën çlirimtare me armë në duar në malet e Drenicës.
Në dhjetor të 98-s, bashkë me Komandant “Kapuçin”, Mujë Krasniqin, në mesin e 40 ushtarëve të rënë për liri, ishin edhe Luljeta Shala, ushtare e UÇK-së, e cila ishte vetëm 21-vjeçare, dhe i dashuri i saj, Hysen Bujupaj-Luani.
Kemi qindra histori të ngjashme, ndër to edhe atë të Hanumshahe e Tefik Zymerit, që ranë heroikisht së bashku me armë në dorë në rrethin e Zhegocit të Gjilanit.
E kemi edhe familjen heroike Haradinaj nga Gllogjani dhe shembullin e pashoq të Hilmi dhe Rukë Haradinajt, të cilët i dhanë UÇK-së djemtë dhe vajzat dhe, bashkë me ta, luftuan e rezistuan me armë në dorë.
Historia jonë, tradita jonë si Komb është shumë e pasur, aq e pasur sa na e kanë lakminë edhe popujt më të mëdhenj e të përparuar.
Neve na mbetet të mos e harrojmë historinë tonë, t’i kultivojmë vlerat e mira që i kemi si shoqëri, si familje tradicionale shqiptare.
Qindra e mijëra shembuj përgjatë ekzistencës tonë na risjellin në kujtesë heroinat e Kosovës, të cilat luftuan, sakrifikuan dhe u flijuan bashkë me bashkëshortët e tyre për lirinë tonë.
Nënat dhe baballarët tanë na kanë përcjellë vlerat më të mira e më të çmuara nga parardhësit e tyre, të cilët nuk lejuan që të shuhemi si komb përballë fqinjëve gjakatarë e të etur për gjakun e tokën tonë.
Lavdi martirëve dhe dëshmorëve në çdo etapë të historisë sonë!
Ju faleminderit!



