Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, përmes Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, ka zhvilluar pesë sesione informuese rajonale me qëllim të informimit të institucioneve publike, organizatave jo qeveritare, sektorin privat ofruese të shërbimeve sociale dhe familjare lidhur me legjislacionin e ri sekondar për procesin e licencimit dhe plotësimit te kushteve te reja.
Sesionet informuese janë zhvilluar me komunat pjesë e regjionit të Prishtinës, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, si dhe Gjilanit e Ferizajt, ku kanë marrë pjesë mbi 150 përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe lokale, Qendrave për Punë Sociale, organizatave të shoqërisë civile, shtëpive në komunitet, si dhe ofruesve të shërbimeve për fëmijë dhe persona të moshuar, përfshirë edhe biznese që ofrojnë shërbime sociale dhe kujdes për personat e moshuar.
Qëllimi i sesioneve ishte prezantimi dhe sqarimi i kërkesave të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (MPFVLÇ) Nr. 01/2026, (MPFVLÇ) Nr. 02/2026, të cilat përcaktojnë kushtet minimale për themelimin e institucioneve në kuptim të stafit profesional, infrastrukturës dhe pajisjeve, kriteret dhe procedurën e licencimit, ri-licencimit, dhënien e licencës dhe procesin e pezullimit të licencimit të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare.
Gjatë sesioneve janë prezantuar kriteret dhe standardet për licencim, dokumentacioni i nevojshëm, procedurat dhe hapat e procesit të licencimit, si dhe përgjegjësitë e ofruesve në zbatimin e kërkesave të përcaktuara me legjislacionin e ri.
Zhvillimi i sesioneve kontribuon në rritjen e informimit të ofruesve të shërbimeve, përgatitjen e tyre për zbatimin e legjislacionit të ri dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.
Sesionet informuese janë organizuar nga Departamenti për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Syri i Vizionit, në kuadër të programit “Fuqizimi i Fëmijëve për Ndryshim Politikash dhe Pjesëmarrje”, të zbatuar në partneritet me Save the Children Kosova, me mbështetjen e Sida.