Ministri Hoti mori pjesë në Konferencën për shënimin e Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.
Në adresimin e tij, Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, theksoi përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen dhe avancimin e të drejtave të personave të verbër dhe personave me vështirësi në të pamur.
Ministri vuri në pah mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe shërbimet sociale që ofrohen për personat e verbër, përfshirë kompensimin për shoqëruesit personalë, sipas kategorive të përcaktuara me ligj. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen që Ministria u ofron organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile për ofrimin e shërbimeve sociale, përfshirë iniciativat për fuqizimin e grave të verbëra.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së përfshirjes së personave të verbër në tregun e punës, si një nga faktorët kyç për fuqizimin e tyre ekonomik dhe social. Në këtë drejtim, Ministri Hoti theksoi angazhimin e Ministrisë përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe Qendrave të Aftësimit Profesional, për të krijuar më shumë mundësi për aftësim, punësim dhe pavarësi ekonomike

