Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, vizitoi Qendrën Ditore për Rehabilitim, Habilitim dhe Edukim të organizatës Down Syndrome Kosova, ku u prit nga drejtoresha Sebahate Hajdini Beqiri dhe stafi profesional që ofron shërbime për fëmijë dhe të rritur me sindromën Down në Prishtinë dhe në qendrat tjera në Kosovë.
Gjatë vizitës, Ministri u njoftua nga afër me programet për fuqizimin e personave me sindromën Down, të cilat synojnë zhvillimin e aftësive praktike, pavarësinë dhe përgatitjen për integrim në tregun e punës. Në bashkëbisedim me prindërit, u diskutuan edhe sfidat e përditshme me të cilat përballen familjet e tyre.
Ministri Hoti theksoi se institucionet do të jenë gjithmonë pranë personave me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre, duke veçuar rishikimin e Projektligjit për Vlerësimin dhe Njohjen e Statusit të Personave me Aftësi të Kufizuar si një nga hapat e parë drejt përmirësimit të mbështetjes dhe shërbimeve.




