Në përputhje me zotimin publik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për mbështetjen e familjeve në nevojë gjatë sezonit dimëror, konfirmoj se subvencionimi i energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm do të realizohet i plotë për periudhën e paraparë.
Për shkak të mosmiratimit me kohë të Ligjit të Buxhetit, ekzekutimi i pagesave për muajt janar dhe shkurt nuk ka mundur të realizohet sipas planifikimit fillestar. Tashmë, pas miratimit të Ligjit të Buxhetit për vitin 2026 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, procesi i subvencionimit do të vazhdojë ashtu siç është paraparë.
Subvencionimi për muajt janar, shkurt dhe mars do të reflektohet në faturën e muajit mars, për të gjitha familjet e kualifikuara që kanë qenë përfituese në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.
Theksojmë qartë:
– Asnjë familje e kualifikuar nuk do ta humbasë të drejtën e saj.
– Periudha gjashtëmujore e subvencionimit mbetet në fuqi, sipas zotimit të dhënë.
– Procesi realizohet automatikisht dhe nuk kërkohet asnjë aplikim apo veprim shtesë nga përfituesit.
Institucionet e Republikës qëndrojnë pranë qytetarëve, veçanërisht atyre që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Transparenca dhe përmbushja e obligimeve tona mbetet prioritet.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe besimin tuaj!