Çdo mendje është unike, çdo zemër ka vlerë

Dita e fëmijëve të spektrit të autizmit në Kosovë është një moment i rëndësishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi për shoqërinë tonë. Kjo ditë na kujton se çdo fëmijë është unik dhe meriton dashuri, respekt dhe mundësi të barabarta për zhvillim.

Fëmijët e spektrit të autizmit sjellin një mënyrë të veçantë të perceptimit të botës dhe jetës, duke na mësuar për durimin, ndjeshmërinë dhe rëndësinë e pranimit pa kushte.

Në Kosovë, përpjekjet për përkrahjen e fëmijëve të spektrit të autizmit dhe familjeve të tyre po rriten gradualisht, por jemi të vetëdijshëm se ende ka nevojë për më shumë angazhim institucional dhe shoqëror. Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, si dhe dikasteret e tjera qeveritare, kanë ndërmarrë në vazhdimësi hapa të rëndësishëm, duke ofruar mbështetje financiare për familjet, duke zhvilluar programe të edukimit gjithëpërfshirës nëpër shkolla dhe duke përkrahur programet e qendrave të licencuara për të rritur qasjen në shërbime profesionale, si terapitë zhvillimore dhe këshillimi psikologjik.

Megjithatë, këto përpjekje kërkojnë vazhdimësi dhe forcim të mëtejshëm, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të jetojë me dinjitet.

Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për të theksuar rëndësinë e pranimit dhe për të promovuar një shoqëri ku dallimet nuk paragjykohen, por vlerësohen. Sepse një shoqëri e drejtë është ajo që kujdeset për të gjithë anëtarët e saj, pa përjashtim.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors