A ju duket se këto pyetje janë shumë të thjeshta dhe përgjigjja është e qartë?
Shumë njerëz e konsiderojnë sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë vetëm si parandalim kundër aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale. Fraza “shëndeti dhe siguria në punë” konsiderohet si mbrojtje gjithëpërfshirëse e të punësuarve në punë, duke përfshirë edhe mbarëvajtjen dhe mirëqenien në punë; duke marrë parasysh përveç parandalimit të aksidenteve dhe sigurisë teknike edhe kushtet e kënaqshme të punës, marrëdhëniet e mira në punë, sigurinë sociale të të punësuarve, promovimin e shëndetit, faktorët psiko-socialë, mbrojtjen nga stresi, dhuna, etj.
Kjo qasje dhe kultura e punës mbështeten edhe me legjislacion, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë kombëtar. Direktivat e BE-së dhe Konventat e ILO-së theksojnë mbrojtjen e të punësuarve në të gjitha aspektet e punës, duke përfshirë kushtet e përshtatshme të punës. Ligji për SShP në Kosovë po ashtu përshkruan sigurimin e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës në të gjitha aspektet e punës. Mbrojtja e punëtorëve përfshin edhe aspektet e mbuluara nga Ligji i punës – siç janë: kontratat e punës, orarin e punës, pauzat në punë, antidiskriminimin, të drejtat sociale, kompenzimet etj.
Përveç kësaj, “siguria dhe mbrojtja e shëndetit në punë” duhet të kuptohet si proces dinamik dhe në zhvillim. Direktiva kyçe për SShP e BE-së (89/391/EEC) titullohet – “masat për inkurajimin e përmirësimeve në sigurinë dhe shëndetin…” Ligji për SSHP në Kosovë në nenin 1 të tij thotë: “Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë.”
Aspektet e sigurisë dhe shëndetit në punë:
Parimet e parandalimit
Parandalimi nënkupton veprime paraprake për të shmangur pasojat negative. Përfshin aftësinë për të njohur atë që është e gabuar, atë që mund t’i shkaktoj dëme njerëzve, çfarë është rreziku, çfarë është risku dhe çfarë mund të ndihmojë. Është aftësia e parashikimit dhe gatishmërisë për të ndjekur hapa të caktuar të parandalimit.
Parimet e përgjithshme të parandalimit [Neni 7(1) i Ligjit për SShP]:
- shmangia e risqeve;
- vlerësimi i risqeve të pashmangshme;
- luftimi i riskut në burim;
- tejkalimi i shkaqeve të riskut;
- adaptimi i punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës dhe mjedisit të punës;
- zgjedhja e pajisjeve, metodave të punës dhe e procesit- të punës, për ta lehtësuar punën e njëtrajtshme – monotone dhe për t’i reduktuar efektet e saj në shëndet;
- përshtatja me progresin teknik;
- zëvendësimi i kushteve të rrezikshme me kushte të pa rrezikshme ose më pak të rrezikshme;
- zhvillimi i një politike parandaluese gjithëpërfshirëse që ka të bëjë me teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet shoqërore dhe ndikimin e faktorëve që lidhen me mjedisin e punës;
- dhënia e përparësisë sigurisë kolektive në raport me sigurinë individuale;
- sigurimi i udhëzimeve të përshtatshme për punë të sigurtë dhe të shëndetshme për të punësuarin dhe vendosja e tyre në vende të dukshme dhe në gjuhën që e kupton i punësuari.
