Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, z. Andin Hoti, mori pjesë në tryezën e diskutimit për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale të fëmijëve dhe adoleshentëve, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, në partneritet me UNICEF-in.
Gjatë takimit u prezantuan rekomandimet e raportit për hartëzimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Në adresimin e tij, Ministri Hoti theksoi angazhimin e Ministrisë për avancimin e legjislacionit dhe reformimin e mbrojtjes sociale, si dhe fuqizimin e mekanizmave të kontrollit dhe inspektimit për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Ai ritheksoi nevojën për fuqizimin e Qendrave për Punë Sociale, për çka Ministria tashmë u ka kërkuar kryetarëve të komunave të ndërmarrin masa konkrete.
Ministri Hoti theksoi gjithashtu se Ministria ka ndarë mbi 2.5 milionë euro për mbështetjen e organizatave joqeveritare që ofrojnë shërbime sociale, përfshirë strehimoret dhe shërbimet e tjera për mbrojtjen dhe mbështetjen e kategorive të cenueshme.
