Është institucion shëndetësor publik i nivelit tretësor. Si njësi përbërëse organizative dhe funksionale e SHSKUK organizon dhe drejton punët profesionale dhe administrative nga fushëveprimtaria e Mjekësisë së Punës në Republikën e Kosovës si Shërbim Profesional i Mjekësisë së Punës me të drejta dhe detyrime të përcaktuara në bazë të Ligjit për Shëndetësi, statutit të SHSKUK dhe statutit të QKMP.
QKMP si qendër referente e mjekësisë së punës, ofron shërbime shëndetësore për të gjithë të punësuarit dhe pacientët e referuar në këtë Qendër, si dhe planifikon e ndërmerr masat e nevojshme për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të tyre. Harton doktrinën, standardet dhe metodat për vlerësimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të të punësuarve në profesionet me kushte të veçanta të punës, vozitësve të të gjitha llojeve të automjeteve motorike, detarëve, personelit të aviacionit dhe të punësuarve të tjerë në transport. QKMP vlerëson aftësinë punuese të punësuarve nëpërmjet vizitave sistematike dhe periodike të përcaktuara me Ligjin për siguri dhe shëndet në punë.
Kryen ekspertiza në rastin e sëmundjeve profesionale dhe bën vlerësimin e aftësisë për punë. Udhëheq regjistrin e sëmundjeve profesionale dhe bën monitorimin, studimin e shkaqeve të lëndimeve në punë dhe shkaqeve të invaliditetit të të punësuarve në Republikën e Kosovës. QKMP krahas veprimtarisë shëndetësore ushtron edhe veprimtari arsimore, kryen hulumtime kërkimoro-shkencore, statistikore dhe përgatit programin e masave të kujdesit shëndetësor nga fushëveprimtaria e vet.
Shërbimet që ofrohen për kontrollet shëndetësore të punëtorëve nga QKMP përfshijnë:
- vizita specialistike;
- vizita sistematike;
- certifikata shëndetësore për punësim në vende me kushte të veçanta pune;
- vlerësim, rekomandim për komisionin invalidor pensional;
- vlerësimi i shkallës- së lëndimeve në punë;
- vlerësim, rekomandim për ndërrimin e vendit të punës;
- vlerësim, rekomandim për shkurtim të orarit të punës;
- e autorizuar si qendër referente për vlerësim të aftësisë punuese për lirim nga kujdestaria dhe ndërrimi i natës, për shkaqe shëndetësore, për të punësuarit në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Shërbimet që janë në proces të formimit, akreditimit dhe licencimit:
- Laboratori me pajisje për matje, përcjellje në kontinuitet dhe analizë të parametrave kimike dhe fizike në vendin e punës në këto fusha tematike: temperatura, lagështia relative e ajrit, shtypja atmosferike e ajrit, shpejtësia e lëvizjes së ajrit, gazrat, pluhuri, ndriçimi, zhurma, vibracioni etj.
- Njësia për leximin e Dozimetrave
- Ekipi për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës konform Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe akteve tjera ligjore.
Kontaktet e institucionit
Dr. Albert Lila, Dr. Sci
Drejtor Ekzekutiv, Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, Gjakovë
Mobili: 044154966
Email: Albert.Lila@rks-gov.net
impk_gjakove@hotmail.com