Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, priti në takim njoftues Drejtoreshën Ekzekutive të KOMF, Donjeta Kelmendi, të shoqëruar nga Remzije Krasniqi, Presidente e KOMF dhe Drejtoreshë për Avokim në SOS Fshatrat e Fëmijëve, Sebahate Hajdini Beqiri, Anëtare e Bordit të KOMF dhe Drejtoreshë në Down Syndrome Kosova, si dhe Pajtim Zeqiri, Anëtar i KOMF dhe Drejtor në Terre des hommes.
Përfaqësuesit e KOMF uruan Ministrin Hoti për detyrën, duke theksuar se themelimi i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare është një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm për fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimeve sociale në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e konsolidimit të Ministrisë si institucion kyç për hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave sociale, si dhe për nevojën e vazhdimit të forcimit të iniciativave në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe grupeve të tjera në nevojë.
Një nga temat kryesore ishte edhe vazhdimi i konsolidimit të legjislacionit në fushën e mbrojtjes sociale, ndërsa përfaqësuesit e KOMF vlerësuan si hap të rëndësishëm procedimin e projektligjeve të parapara në planin legjislativ të Ministrisë për këtë vit.
Ministri Hoti shprehu vlerësim për rolin dhe kontributin e organizatave joqeveritare në mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për kategoritë e cenueshme, ndërsa në takim u riafirmua angazhimi i përbashkët për adresimin e sfidave në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe çështjeve të tjera sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e familjes dhe të fëmijëve në Kosovë.