Në kuadër të aktiviteteve përmbyllëse në “Javën e Minatorëve”, Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ishte pjesë e konferencës së Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ku u lansua hulumtimi me titull, “Punëtorët e Padukshëm të Nëntokës: Drejt Hartimit të një Liste Zyrtare të Sëmundjeve Profesionale për Minatorët e Kosovës”.
Në 37 vjetorin e grevës historike të 1300 minatorëve të Trepçës në Stantërg kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës, represionit dhe shtypjes që atë kohë regjimi serb në Ish-Jugosllavi ushtronte ndaj shqiptarëve, Ministri Hoti foli për kontributin e jashtëzakonshëm të minatorëve në rrugën tonë për liri e shtet, si dhe për hapat që do të ndërmerren për trajtim të dinjitetshëm të minatorëve në kuadër të kompetencave të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Fjalimi i plotë:
Sado që të bëhet për këta “punëtorë të padukshëm”, siç i keni quajtur ju, asnjeherë nuk është e mjaftueshme në raport me sakrificën dhe vlerën e punës së tyre.
Duke shprehur kënaqësinë e veçantë për këtë adresim para jush, më lejoni fillimisht t’u drejtohem “heronjve” të nëntokës, në dimensionin e tyre real dhe simbolik për Kosovën e sotme.
Pikërisht këtë dimension e reflekton titulli i hulumtimit që prezantojmë sot nga Instituti për Hulumtime dhe të Drejta të Njeriut, duke mos nënkuptuar thjesht një profesion, por një histori sakrifice, dinjiteti dhe qëndrese.
Tridhjetë e shtatë vjet më parë, më 20 shkurt 1989, “punëtorët e padukshëm” u bënë forca më e dukshme e Kosovës që po shtypej. Minatorët e “Trepçës” në Stantërg, të ngujuar për tetë ditë në horizontet 8 dhe 9, gati një mijë metra nën tokë, mobilizuan rezistencën popullore dhe ekspozuan para botës politikën represive të Millosheviqit. Kishte filluar një ndërrim, e më pas ishin bërë 1 mijë e 300 minatorë që kishin refuzuar të dalin nga miniera, duke e fuqizuar kundërshtimin ndaj represionit me grevë urie. Ndonjëri prej tyre mbase është sot këtu me ne.
JU JENI HERONJ, FALEMINDERIT SHUMË!
Ju e dini më mirë se kushdo tjetër çka do të thotë të sakrifikosh jetën, shëndetin e familjen për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
Suprimimi i autonomisë së vitit 1974, ishte paralajmërim i projektit antishqiptar të Millosheviqit për spastrim etnik e gjenocid. Prandaj minatorët kishin kërkuar ndërprerjen e asaj politike, ndonëse që nga Pranvera e vitit 1981, autonomia ishte dëshmuar e pamjaftueshme për të drejtat dhe aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë.
Siç dihet, minatorët u mashtruan, kërkesat e tyre nuk u realizuan, minierat u mbyllën, e shumë prej grevistëve u maltretuan e arrestuan.
“Punëtorët e padukshëm të nëntokës” edhe pse nuk e ndalën Millosheviqin, jehona e tyre e forcoi rezistencën. Parullat “Trepça e jona dhe “Kosova Republikë” kishin dalë nga zgafellat dhe ishin kthyer në vullnet popullor, duke rritur vetëdijen mobilizuese.
Dhjetë vjet më vonë ato u bënë realitet me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si themel i shtetit tonë të pavarur, me ndihmën e pakursyer të Shqipërisë dhe ndërhyrjen ushtarake të aleatëve tonë “të bashkuar” në NATO.
Të nderuar të pranishëm,
Nuk dua të zgjatëm e të ju mërzis sepse epoka digjitale s’ka kohë për retorikë të gravuar.
Gjetjet e këtij hulumtimi për shëndetin dhe sigurinë në punë, kushtet e punës dhe trajtimin e sëmundjeve profesionale të minatorëve përbëjnë një bazë për reflektim institucional dhe veprim të koordinuar. Ne do të forcojmë mekanizmat e monitorimit dhe inspektimit, me qëllim garantimin e standardeve sa më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes në punë.
Njëkohësisht, përmes skemave të financuara nga shteti, ne vazhdojmë të sigurojmë realizimin e së drejtës për pension të parakohshëm për punonjësit e ndërmarrjes “Trepça”, të cilët përmbushin kriteret sipas legjislacionit në fuqi.
Ashtu si në çdo fushë tjetër të përgjegjësisë sime si ministër, angazhimi im do të jetë maksimal për përmirësimin e kushteve të punës, për mbështetjen sociale dhe për trajtimin dinjitoz të punëtorëve dhe pensionistëve në Republikën e Kosovës.
Ndonëse jam i vetëdijshëm se sfidat nuk janë të lehta dhe nuk kemi një “shkop magjik” në dorë, për një gjë jam i sigurt: vullneti s’do të mungojë asnjëherë dhe te unë si Ministër do të gjeni gjithmonë mirëkuptimin dhe përkrahjen e parezervë.
Dhe, në këtë rrugën e përpjekjeve për t’i avancuar mundësitë si Qeveri dhe si Shtet, ne asnjëherë nuk guxojmë, nuk duhet dhe nuk do ta harrojmë sakrificën e jashtëzakonshme të minatorëve të “Trepçës” dhe kontributin që ata japin çdo ditë për Kosovën, me punën e mundimshme e të rrezikshme në thellësitë e tokës tonë të artë.



