Divizioni për Transparencë

Divizioni për Transparencë ka për mision ndërmarrjen e veprimeve të ndryshme, për rritjen e transparencës së punës së Ministrisë ndaj personave fizikë dhe juridikë. Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Transparencë, janë:

  •         Ofron shërbime të tavolinës ndihmëse për njësitë e tjera të Ministrisë;
  •         Pranon, përpunon dhe kthen përgjigje për kërkesat e ndryshme për informim nga personat fizikë dhe juridikë, për çështjet që lidhen me fushëveprimin e Ministrisë;
  •         Koordinon kërkesat për qasje në dokumente publike dhe përgatit raporte, mbi zbatimin e Ligjit përkatës për Qasje në Dokumente Publike;
  •         Propozon iniciativë për publikimin në mënyrë proaktive të dokumenteve publike; dhe
  •         Përkujdeset në përmbushjen e kërkesave për transparencë financiare, që dalin nga legjislacioni;

Udhëheqësi i Divizionit për Transparencë, raporton te Sekretari i Përgjithshëm.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Divizionit për Transparencë janë të përcaktuara me nenin 84 të Rregullores (ZKM) NR. 02/2023 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

  • Fatime Lumi Qehaja Udhëheqëse e Divizionit për Transparencë në Ministrinë e Financave  

Divizioni për Transparencë

✉️ qdp.mf@rks-gov.net

☎️ +381 38 200 34 171  

KËRKESA PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE  

  • E drejta për qasje në dokumente Publike –       

Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike. Kjo e drejtë garantohet me nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rregullohet me Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike.

Kufizimi i të drejtës për qasje në dokumente publike bëhet vetëm në rastet e kufizuara dhe specifike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.  

–        Kërkesa dhe qasja në dokumentet publike që përmbajnë të dhëna personale bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës, përfshirë Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

–        Kërkesa dhe qasja në dokumente të klasifikuara bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës për klasifikimin e informacionit – Ligji NR.08/L-175 për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.  

Mënyrat e paraqitjes së kërkesës

Kërkesa për qasje në dokumente publike mund të paraqitet në Divizionin për Transparencë në njërën nga format e mëposhtme:  

–        Në formë elektronike
Kërkesa mund të dërgohet në formë elektronike përmes adresës zyrtare elektronike: qdp.mf@rks-gov.net;

–        Me shkrim
Kërkesa me shkrim (në formë fizike) mund të dorëzohet në Zyrën e Protokollit të Ministrisë, e cila ndodhet në Ndërtesën e Qeverisë.

–        Verbalisht
Në rastet kur kërkesa paraqitet verbalisht, zyrtari përgjegjës për Qasje në Dokumente Publike e regjistron kërkesën në formularin përkatës në emër të kërkuesit.

Për aq sa është e mundshme, kërkesa duhet të përmbajë edhe formën e preferuar nga kërkuesi për qasje në dokumente Publike. Pavarësisht formës së paraqitjes, kërkesa për qasje në dokumente publike duhet të përmbajë të dhënat e kërkuesit dhe përshkrimin sa më të qartë të dokumentit ose dokumenteve të kërkuara.  

–        Formulari standard për paraqitjen e kërkesës për qasje në dokumente publike mund të shkarkohet në linkun më poshtë:

Formulari për kërkesë për qasje në dokumente publike

Shpenzimet për qasje në dokumente publike

Shërbimi për qasje në dokumente publike është pa pagesë. Mirëpo, një tarifë mund t’i ngarkohet kërkuesit për kopje të dokumentit publik, e cila është e arsyeshme dhe nuk mund të tejkalojë shpenzimet e vërteta të riprodhimit dhe furnizimit të dokumentit.  

Tarifat për shpenzimet e prodhimit dhe dërgimit të dokumenteve apo kopjes së dokumenteve janë unike për të gjitha institucionet Publike dhe rregullohen me Rregulloren Nr. 02/2012/MF për Tarifat në Qasje në Dokumente Publike.  

o Nga tarifat janë të liruara:

–        Shikimi i dokumenteve zyrtare në objektet e institucionit publik është pa pagesë, përjashtuar arkivat dhe muzetë.

–        Skenimi i dokumenteve për t’u dërguar te kërkuesi me postë elektronike.

–        Fotokopja dhe shtypja deri në 10 faqe.  

Afatet për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente Publike

–        Institucioni publik brenda shtatë (7) ditëve prej kohës së regjistrimit të kërkesës, lejon qasjen në dokumentin e kërkuar ose të nxjerrë vendim të arsyetuar për refuzimin e plotë apo të pjesshëm të kërkesës për qasje në Dokumente Publike.  

–        Kur dokumenti publik i kërkuar, i cili në bazë të një vlerësimi të arsyeshëm shihet të jetë i nevojshëm për mbrojtjen e jetës apo lirisë së një personi, institucioni publik detyrohet të ofrojë përgjigje brenda afatit prej dyzet e tetë (48) orëve.

–        Institucioni publik mund të vazhdojë afatin për marrjen e vendimit për qasje në dokumente publike më së shumti edhe për pesëmbëdhjetë (15) ditë shtesë, në qoftë se:

–        dokumenti duhet të kërkohet brenda një numri të madh të dokumenteve apo jashtë institucionit publik; ose

–        me një kërkesë kërkohen një numër i madh i dokumenteve publike, nga e njëjta palë.

Afati dhe organi ku bëhet ankimi

Në rast se institucioni publik ka refuzuar në tërësi apo pjesërisht kërkesën për qasje në dokumente publike apo në rast të heshtjes apo mos përgjigjes së institucionit publik, kërkuesi mund t’i drejtohet me ankesë Agjencisë brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve prej pranimit të vendimit për refuzim ose vendimit për aprovim të pjesshëm të kërkesës për qasje.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors