Në kuadër të koordinimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve për shënimin e 28 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me bashkëkryesues ministrin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, dhe pjesëmarrjen e Ministres për Kulturë dhe Turizëm znj. Saranda Bogujevci, Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasniqi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues nga Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Komuna e Skenderajit.
Në këtë takim, me përkrahjen e të gjithë anëtarëve u miratua agjenda e aktiviteteve dhe logoja zyrtare e manifestimit, si dhe u përcaktuan detyrat e përgjegjësitë për organizimin e kësaj ngjarje historike me rëndësi shtetërore.
Epopeja e UÇK-së është ngjarja kulmore e luftës tonë çlirimtare dhe përgjegjësia për ta nderuar atë me dinjitet të lartë shtetëror duhet të na bashkojë të gjithëve.
Përkushtimi dhe koordinimi për shënimin e 28 vjetorit të Epopesë do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim, me qëllim të realizimit sa më të mirë të aktiviteteve të planifikuara për 5, 6 dhe 7 mars.
