Često postavljana pitanja o društvenim preduzećima

1. Çka është Ndërmarrja Sociale sipas legjislacionit kosovar?

Sipas ligjit, ndërmarrja sociale është personi juridik që pavarësisht mënyrës së themelimit të tij, në aktin e vet themelues i përmban objektivat sociale, kryen aktivitete ekonomike, bënë prodhimin e mallrave, ofron shërbime në interes të përgjithshëm të shoqërisë dhe i integron në punë personat nga grupet e cënueshme. Pra, ndërmarrja sociale ndonëse mund të komercializojë aktivitetet e saj, qëllimi kryesor mbrapa operimit të saj është avancimi i misionit shoqëror dhe jo maksimizimi i fitimit.

2. Cili është dallimi në mes OJQ, biznesit dhe Ndërmarrjes Sociale?

Ndërmarrja sociale ka karakteristika të organizatës jo-qeveritare (OJQ) sepse punon drejt një misioni shoqëror dhe gjithashtu ka karakteristika të biznesit sepse mund të komercializojë aktivitetet e saj. Në mungesë të një rregullimi ligjor dhe praktik të funksionimit të ndërmarrjeve sociale, ato kanë funksionuar si biznese dhe OJQ në të kaluarën. Me fillimin e regjistrimit të ndërmarrjeve sociale në nëntor 2023, ndërmarrjet sociale marrin statutin e një entiteti të veçantë dhe përfitojnë nga të operuarit si të tilla.

3. Cilat janë kategoritë e Ndërmarrjes Sociale dhe specifikat e tyre?

Ndërmarrjet sociale ndahen në dy kategori: ndërmarrje sociale të kategorisë A që ofrojnë shërbime për grupet e cënueshme dhe ndërmarrje sociale të kategorisë B që punësojnë më shumë se 30% të stafit nga grupet e cënueshme dhe angazhohen në ofrimin e shërbimeve të dobishme për shoqërinë, apo në rritjen, përpunimin, prodhimin, procesimin e produkteve për shitje, dhe zhvillojnë aktivitete në ndonjërën apo në disa nga fushat e përcaktuara. Për më shumë informata rreth këtyre kategorive shikoni tabelën në vijim:

# Aktivitetet e kategorisë A # Aktivitetet e kategorisë B
1 Asistencë sociale dhe mbështetje për strehim 1 Kultivimin, rritjen e erëzave, bimëve aromatike dhe mjekësore
2 Ndihma familjare dhe kujdes familjar 2 Konservimin e frutave dhe perimeve nga ekonomitë familjare që i prodhojnë apo kultivojnë këto produkte në zonat rurale apo urbane
3 Shërbime shëndetësore dhe kujdesi infermierisë në shtëpi 3 Prodhimin dhe përgatitjen e produkteve të prodhuara me dorë si puna e thurjes nga tekstilet, rroba të punës dhe veshmbathje tjera të thurura me grep
4 Ofrimi i shërbimeve ditore dhe kujdesi në shtëpi për personat me aftësi të kufizuara mendore, shqisore dhe fizike 4 Prodhimin dhe përgatitjen e produkteve për dekorim të bëra me dorë dhe me makinë
5 Përkrahje dhe rehabilitim të personave me aftësi të kufizuara 5 Përgatitjen apo prodhimin, mbështjelljen dhe paketimin e mjaltit, frutave, produkteve të perimeve apo produkteve tjera me origjinë bimore apo shtazore
6 Shërbime të kujdesit të përditshëm dhe kujdesit rezidencial për fëmijët me aftësi të kufizuara 6 Prodhimin, mirëmbajtjen e biçikletave, karrigeve, dhe pajisjeve tjera ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar
7 Shërbime të kujdesit ditor në shtëpi dhe shërbime rezidenciale për personat e moshuar 7 Mbledhjen, përpunimin, shkatërrimin e mbeturinave të parrezikshme dhe seleksionimin e tyre për qëllim të riciklimit
8 Shërbimet që ofrohen për ri- integrimin e personave të dhunuar gjatë luftës 8 Mirëmbajtjen dhe kujdesin për hapësirat publike, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe memorialët
9 Shërbimet që ofrohen për ri- integrimin e viktimave të trafikimit, abuzimit dhe dhunës në familje dhe ri-integrimin e të rinjve delikuent 9 Mirëmbajtjen dhe kujdesin për pyjet, drunjtë përgjatë rrugëve dhe bimët dekorative në hapësirat publike dhe parqet e ndryshme
10 Shërbime dhe trajtime psikosociale të rasteve të abuzimit me substanca që shkaktojnë varësi 10 Shërbimet dhe aktivitetet e turizmit, trashëgimisë kulturore dhe sektorin HORECA (Hotel , Restaurant, Caffe) me pjesëmarrje të kategorive të ndryshme sociale
11 Arsimim dhe aftësim profesional dhe shërbime të transportit për personat me aftësi të kufizuara 11 Shërbime dhe aktivitete në trajtimin e kafshëve që konsiderohen si kërcënim për shëndetin publik dhe jetën e njeriut
12 Shërbime të punësimit, trajnimit dhe vetëpunësimit për grupet e cenueshme

Ndërsa, sa i përket informatave rreth asaj se kush konsiderohen grupe të cënueshme mund të shikohet Ligji Nr. 06/L-022, përkatësisht neni 6 i këtij ligji në vegëzën në vijim: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=18187.

4. Cilat janë kriteret për marrjen e statusit të Ndërmarrjes Sociale?

Për kualifikim si ndërmarrje sociale, entitetet e themeluara si OJQ, Shoqatë, Fondacion, Institut apo Koperativë Bujqësore ose Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar -ShPK, duhet të bëjë pjesë në njërën nga kategoritë e lartë-përmendura. Gjithashtu, ndërmarrjet sociale duhet të definojnë qartë kufizimin në shpërndarjen e fitimit të tyre. Ndërmarrjet sociale kanë të drejtë që deri në 30% të fitimit të tyre ta përdorin për paga dhe mëditje për stafin e ndërmarrjes sociale ndërsa pjesa tjetër përdoret për zgjerim të veprimtarisë.

5. Nëse një person fizik dëshiron ta themelojë ndërmarrjen sociale nga e para si duhet të veprojë?

Në mënyrë që një ndërmarrje sociale të marrë statutin dhe të njihet si e tillë ajo duhet të organizohet fillimisht si OJQ apo biznes, e më pas të aplikojë për fitimin e statutit të ndërmarrjes sociale. Vetëm pas lëshimit të certifikatës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, një ndërmarrje sociale mund të operojë si e tillë.

6. Si duhet të regjistrohet një ndërmarrje sociale nga fillimi?

Fillimisht, entiteti duhet të aplikojë për regjistrim si organizatë jo-qeveritare apo biznes.
Dokumentet që kërkohen për regjistrim si organizatë jo-qeveritare janë statuti dhe akti i themelimit. Entitetet të cilat pas regjistrimit si OJQ synojnë të operojnë si ndërmarrje sociale, duhet që dokumentet për aplikim si OJQ ti kenë në formatin e ndërmarrjes sociale. Këto dokumente janë statuti dhe akti i themelimit. Statuti si ndërmarrje sociale mund të qaset lehtësisht duke klikuar vegëzën në vijim: https://ojq.rks-gov.net/Procedura.aspx dhe zgjedhur njërin nga opsionet për shoqatë (ndërmarrje sociale) apo për fondacion (ndërmarrje sociale). Ndërsa për aktin e themelimit klikohet këtu: https://mfpt.rks-gov.net/Puna/Page/966 dhe zgjedhet opsioni: akti i themelimit (vetëm për OJQ-të). Këto dokumente dorëzohen në Departamentin për regjistrim të OJQ-ve ku edhe pranohet certifikata e regjistrimit si OJQ. Më pastaj, OJQ e regjistruar rishtazi, sjellë certifikatën e marrë nga Departamenti për Regjistrim si OJQ, statutin, aktin e themelimit dhe mjetin identifikues të pronarit/es apo të pronarëve në Zyrën e Komisionit Vlerësues që është afër Hotel Grand në Prishtinë, për më tepër lokacioni mund të gjendet këtu:https://shorturl.at/knKPW.

Prej këtu e tutje aplikanti është në kontakt të vazhdueshëm me komisionin për plotësim eventual të aplikacionit deri në finalizimin e procesit dhe pajisjen e OJQ-së me certifikatën për operim si ndërmarrje sociale. Për biznese, procedura është e ngjashme si me atë për OJQ. Biznesi duhet të regjistrohet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Republikën e Kosovës ku statutin si ndërmarrje sociale dhe aktin e themelimit mund ti gjejë duke klikuar këtu: https://arbk.rks-gov.net/Page/17. Në të njëjtën formë sikur OJQ, biznesi sjellë certifikatën si biznes të marrë nga ARBK, statutin, aktin e themelimit dhe mjetin identifikues të pronarit/es, Vendimin e organit me te lartë vendimmarrës (bordit/kuvendit) për pëlqim të aplikimit për marrje të statutit, kerkesën për njohje si dhe planin e biznesit të cilat mund të shkarkohen këtu. Në të dyja rastet dokumentacioni sillet në adresën e komisionit vlerësues.

7. Si duhet të shndërrohet një OJQ apo biznes ekzistues në ndërmarrje sociale?

Biznesi apo OJQ-ja ekzistuese në vend se të plotësojë dokumentacion të ri, duhet të ndryshojë fushë-veprimtarinë në statutin dhe aktin e themelimit të saj. Duhet të sigurohet se akti i themelimit përfshin këto aspekte: 1. obligimin për të mos e shpërndarë fitimin, kategorinë e fushëveprimit të veprimtarisë, mënyrën e menaxhimit që garanton mos-diskriminim në pjesëmarrje, personat përgjegjës për menaxhim të aktiviteteve sociale, organin mbikëqyrës i cili ushtron kontroll mbi plotësimin e kritereve të operimit si ndërmarrje sociale si dhe rregullat e mbajtjes së shënimeve të kontabilitetit dhe raportimit, aspekte të rregulluara përmes Ligjit Nr. 06/L-022, Neni 10.

8. Si mund të bëhet aplikimi për ndërmarrje sociale dhe a ka ndonjë sistem elektronik ku mund të aplikohet?

Aktualisht aplikimi bëhet vetëm në formë fizike në adresën e lartëpërmendur. Pra, afër objektit të Hotel Grandit, në lokacionin si në vijim: https://shorturl.at/knKPW.

9. A është e mundur që një OJQ të regjistrojë vetëm një pjesë të veprimtarisë si ndërmarrje sociale?

Entitetet e themeluara si OJQ-Shoqatë, Fondacion, Institut apo Kooperativë Bujqësore ose Shoqëri me Përgjegjësi të kufizuar -ShPK, të cilat duan të regjistrojnë një veprimtari apo program si ndërmarrje sociale, atyre ju kërkohet t’i nënshtrohen ndryshimeve të statutit dhe aktit të themelimit të organizatës, biznesit ekzistues për të aplikuar për statutin e Ndërmarrjes Sociale, apo duhet të themelojnë entitet të ri juridik, një nga format OJQ-Shoqatë, Fondacion, Institut apo Kooperativë Bujqësore ose Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar -ShPK dhe me marrëveshje ndërmjet vete të rregullojnë organizimin e dy entiteteve si motra.

10. A duhet që edhe në këtë rast organizata të marrë statut të veçantë të ndërmarrjes sociale dhe a e humbet kjo identitetin e organizatës?

Regjistri i ndërmarrjes sociale ka efekte vetëm sa i përket fitimit apo humbjes së statusit të ndërmarrjes sociale, por nuk ka
efekt në fitimin apo humbjen e personalitetit juridik si person juridik sipas ligjeve specifike. Për më shumë informata mund të shikohet Neni 14 në Ligjin përkatës: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=31444.

11. A mundet që disa ndërmarrje sociale të bashkohen me njëra tjetrën dhe të formojnë një të vetme?

Është e mundur që disa ndërmarrje sociale të bashkohen dhe të formojnë një ndërmarrje sociale të vetme jo duke u siguruar se objektivat dhe fushë-veprimtaria e ndërmarrjes është e qartë dhe se përmbushen kriteret e përcaktuara përmes Ligjit Nr. 06/L-022 që mund të qaset këtu: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=18187

12. Cilat janë përfitimet që i kanë ndërmarrjet sociale?

Pavarësisht nga forma e organizimit dhe aktivitetit që ato e ushtrojnë, ndërmarrjet sociale përjashtohen nga tatimi në fitimin që ato e gjenerojnë gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre, importimi i lëndës së parë, linjave të prodhimit dhe makineritë apo pajisjet për përdorim në procesin e prodhimit apo ofrimit të shërbimit i nënshtrohen vlerës zero (0) të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Gjithashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurohet që të mbështesë ndërmarrjet sociale për të siguruar zhvillimin e këtij sektori në Republikën e Kosovës.

13. A mundet që një biznes individual të marrë statutin e ndërmarrjes sociale?

Jo, nuk është e mundur që një biznes individual të marrë statutin e ndërmarrjes sociale. Statutin e ndërmarrjes sociale mund ta marrin OJQ-të, bizneset SHPK, bizneset SHA si dhe kooperativat bujqësore.

14. A mundet që disa biznese individuale të bashkohen dhe të marrin statutin e ndërmarrjes sociale?

Disa biznese individuale mund të bashkohen dhe të formojnë së bashku një biznes SHPK i cili më pas shndërrohet në ndërmarrje sociale.

15. A duhet të ndryshojë emri i biznesit apo OJQ-së në rastet kur merr statutin e ndërmarrjes sociale?

Nuk është e domosdoshme që të ndryshohet emri i biznesit apo OJQ-së pas pranimit të statutit të ndërmarrjes sociale. Në rastin e marrjes së statutit, ndërmarrja sociale mund të mbajë të njëjtin emër dhe thjesht ti shtohet prapashtesa “ NS” apo “Ndërmarrje Sociale” për të qenë lehtësisht e identifikueshme.

16. Cili do të jetë roli i ATK-së si dhe komisionit në monitorimin e ndërmarrjeve sociale/bizneseve që marrin statutin si ndërmarrje sociale?

Sipas Rregullores Nr. 20/2020 për Strukturat Përgjegjëse të Monitorimit, Kontrollit dhe Procedurat për Gjoba dhe Ankesa të Ndërmarrjeve Sociale: Divizioni për Ndërmarrësi Sociale është përgjegjës për monitorimin sistematik dhe ad-hoc të punës së ndërmarrjeve sociale. Sipas nenit 4 të Rregullores Nr. 18/2020 për procedurat e raportimit për arritjen e objektivave sociale dhe raportet financiare, çdo ndërmarrje sociale është e obliguar të përgatisë dhe të dorëzojë raport vjetor mbi arritjen e objektivave sociale tek Komisioni Vlerësues në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Generic selectors
Samo tačna podudaranja
Traži u naslovu
Traži u sadržaju
Post Type Selectors